E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dëshirojmë të shërbejmë në Shqipëri”- Shkëlqyen në mjekësi, në majën e renditjes kombëtare dy maturante nga Lushnja

Dy histori që frymëzojnë vijnë nga qyteti i Lushnjës. Prindërit ndikuan në zgjedhjet që ato bënë, por dy maturantet Ingrit Haxhiu dhe Abela Dinaku ia shpërblyen mundin me rezultatet e larta.

Të dyja nxënëset, njëra nga gjimnazi “18 Tetori” dhe tjetra që studioi në një shkollë private, arritën të fitonin në konkursin e mjekësisë, duke u renditur e para dhe e treta në rang kombëtar.

“Nuk e prisja që do të isha e para, por e dija që do të renditesha nga të parat, pasi në provimin e informatizuar të mjekësisë pata një rezultat të shkëlqyer. Mora 100 pikë dhe u emocionova shumë, telefonova prindërit e mi. Ata u gëzuan shumë”, tha nxënësja Dinaku.

“E prisja që të isha në listën e fituesit, sepse normalisht kisha një kohë shumë të gjatë që përgatitesha për këtë provim. E mësova pasi mbarova provimin, sepse testi është i informatizuar. Kur pashë në ekran 100 pikë, nuk po i besoja dot syve”, tha nxënësja Haxhiu.

Dëshmi e përkushtimit, punës dhe këmbënguljes, arritja në një nga drejtimet më të kërkuara dhe më konkurruese në vend u dhanë atyre shansin jo vetëm të studionin në Shqipëri, por edhe bindjen për t’i shërbyer vendit në të ardhmen.

“Më pëlqen shumë që do jem në gjendje të ndihmoj të gjithë popullin shqiptar, sepse mendoj që do ta vazhdoj profesionin tim në Shqipëri pa u zhvendosur jashtë”, tha Haxhiu.

“Sa më shumë studioja, aq më shumë fillonte të më pëlqente mjekësia dhe ky profesion dhe nuk kam pse të largohem jashtë shtetit kur mund të kontribuoj për vendin tim”. tha Dinaku

Fakulteti i Mjekësisë është tashmë një ambicie për t’u formuar si profesioniste të zonja. Një mesazh për çdo të ri sot që falë këmbënguljes çdo pengesë kapërcehet.

RTSH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›