E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështojnë negociatat Izrael-Hamas, Tel Avivi vijon zhvendosjen e palestinezëve në Gaza

Izraeli ka lëshuar urdhra të rinj evakuimi për disa zona në rripin e Gazës duke detyruar më shumë familje të largohen nga banesat e tyre këtë të hënë.

Zona ku kërkohet zhvendosja e banorëve përfshin edhe spitalin Al Aksa , një nga objektet mjekësore kryesore ku qindra mijëra palestinezë kanë gjetur strehë. Ushtria izraelite tha se do të veproje në këto zona kundër militantëve të Hamasit.

Shpresat për ti dhënë fund luftës 10 mujore në Gaza janë zbehur pas dështimit të bisedimeve që u mbajtën në Kajro për të arritur armëpushim e për të kthyer pengjet në shtëpi.

Edhe pas shumë përpjekjesh ndërmjetësit nga Egjipti dhe SHBA nuk arritën ta mbyllin hendekun mes izraelit e Hamasit të cilët fajësojnë njëri tjetrin . Burime që ndoqën nga afër bisedimet thanë se asnjëra nga palët nuk ra dakord për disa kompromise të vendosura në tryezë nga ndërmjetësit.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i përshkroi bisedimet si “konstruktive”, duke thënë se ato u zhvilluan në një frymë nga të gjitha palët për të arritur ” marrëveshje përfundimtare dhe të zbatueshme”.

Zhvillimet e fundit vijnë pas shkëmbimit më të madh luftarak mes Izraelit dhe fqinjit verior Libanit.  Grupi militant i këtij shteti, Hezbollah nisi një lumë raketash ndaj Tel Avivit si hakmarrje për vrasjen e një komandanti të lartë, por përgjigja e izraelit ishte e shpejtë dhe shkatërruese.

Kreu i Hebzollah, Nasrallah u tërhoq pak orë më vonë duke e quajtur sulmin si të kompletuar, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi se përplasja nuk përfundon me kaq. Netanjahu nuk specifikoi se çfarë veprimi do të ndërmarrë më tej por tha se lëvizjet e Izraelit do të ndryshojnë situatën në veri të vendit./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›