Detajet/ Pamjet e arsenalit të “vrasësve me pagesë”, mister modeli i njërës prej tyre

Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni “Provat”, ku Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologët grekë goditi bazën e një grupi kriminal në fshatin Labovë e Kryqit.
RTSH.al ka arritur të sigurojë një foto ekskluzive të arsenalit të gjetur në banesën e 45-vjeçarit Dh. M., i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi të dyshuar vrasësish me pagesë.
“Paketimi” dhe arma mister
Nga pamjet vizuale, vërehet se armët e zjarrit ishin të mbështjella me qese plastike, një metodë e njohur kjo nga grupet kriminale për të ruajtur armët nga lagështira dhe ndryshku gjatë fshehjes, duke i mbajtur ato gati për përdorim në çdo moment.
Një detaj interesant që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është lloji i armatimit. Ndërsa dy prej armëve janë identifikuar si kallashnikovë standard, njëra prej armëve automatike është e një modeli ende të paidentifikuar. Ekspertët e balistikës po punojnë për të përcaktuar saktësisht tipin dhe origjinën e kësaj arme specifike, e cila do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të hollësishme në Institutin e Policisë Shkencore.
/rtsh.al/