E Diel, 1 Nëntor 2026

“Deti, Shqipëria nuk mund të shitet”, Meçe: Rama të shkojë me të drejtën! Nuk mund të pranohet një shkëmb si kufi

Analisti Arben Meçe tha se procesi për marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të mbështetet mbi parimin e së drejtës dhe jo vetëm mbi vijën e mesme. Sipas tij, çështja që pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Hagës kërkon një paketë të plotë dokumentesh dhe një qasje të bazuar në praktikën ndërkombëtare.

Meçe u shpreh se Shqipëria nuk mund të pranojë kufij të bazuar mbi shkëmbinj, duke kujtuar edhe vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen detare. Analisti theksoi se gjykatat ndërkombëtare në raste të ngjashme kanë favorizuar respektimin e territorit të plotë dhe të drejtës së shteteve bregdetare.

“Jemi në kushte ku procesi në marrëveshje politike është për të shkuar në Gjykatën e Hagës, që të kalojë nga një vullnet në realitet duhet të bëhet një paketë dokumentash.

Ai është palë, nuk mund të sjellë ekspertë. Dy parime janë që ndeshet Shqipëria me Greqinë: të ruhet parimi i vijës së mesme apo parimi i të drejtës. Nëse ai është parimi i vijës së mesme, Shqipëria thotë që nuk është normale. Nëse në Ksamil ekziston një shkëmb që është territor grek, nuk mund të nisesh nga ky shkëmb dhe të thuash vijë e mesme. Sot praktika ndërkombëtare ka gjyqe dhe konventa që insistojnë shumë në vlerësimin e cilësisë së ishujve, me ishuj të banuar, dhe nuk e cenojnë skemën. Kjo quhet e mesmja, jo gjithmonë vija e mesme është e pranueshme. Nuk është e pranueshme, Shqipëria nuk mund të pranojë kufirin në atë shkëmb, nuk është e drejtë. Gjykata Kushtetuese për këtë e rrëzoi.

Shqipëria ka zhvillim perimetral, respektimi i territorit të plotë dhe vijës së saj është e drejtë. Këtë të drejtë, gjykatat ndërkombëtare e kanë kaluar në favorin tonë. Palët politike duhet të vendosin se cilin nga parimet të pranojnë, të jemi të drejtë apo manipulues.

Tani themi: Rama vazhdo, insisto në të drejtë. Nuk mund të ndryshojmë kufij, sepse do të jetë kosto nëse lëshon për hir të një kompromisi politik.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›