Dhërmi / Tentativë vjedhjeje në bashkëpunim, arrestohen 25-vjeçari dhe një adoleshente pas ndjekjes policore

Një tentativë për vjedhjen e një automjeti është parandaluar në kohë nga Policia në zonën e Dhërmiut, bashkia Himarë. Dy persona, një 25-vjeçar dhe një 17-vjeçare, janë vënë në pranga si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë reaguan menjëherë pas informacionit për vjedhjen e një automjeti tip “Land Rover”, duke bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tij në kohë. Gjatë ndërhyrjes, drejtuesja e mjetit nuk iu bind urdhrave të Policisë dhe, në përpjekje për t’u larguar, shkaktoi dëmtime në automjet.
Nga hetimet paraprake rezulton se të dyshuarit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht për të blerë mjetin. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja e kishte ndezur dhe marrë automjetin pa leje.
Më tej, ajo dyshohet se është larguar nga vendngjarja, ndërsa automjeti me të cilin kishin udhëtuar u përplas në zonën e Palasës dhe u braktis. 25-vjeçari u arrestua në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjete: ai që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/