E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma Amerikane: Jo paqes fiskale, cënon konkurencën, mundëson legalizimin e parave të krimit

Dhoma Amerikane e Tregtisë e kundërshton nismën e qeverisë për të fshirë rreth 1 miliardë euro detyrime tatimore dhe doganore të papaguara nga bizneset, të krijuara më shumë se 10 vjet më parë.

Në një deklaratë, Dhoma Amerikane thotë se paqja fiskale cenon konkurrencën e ndershme dhe e sheh atë si një mundësi për të legalizuar paratë me origjinë të dyshimtë.

“Projektligji propozon një skemë në të cilën bizneset që kanë deklaruar me korrektësi fitimet ndër vite vendosen në një pozicion të pafavorshëm, ndërsa subjektet që kanë shmangur detyrimet tatimore përfitojnë drejtpërdrejtë. Mungesa e detyrimit për të verifikuar origjinën e fondeve krijon rrezikun që përmes kësaj skeme të legalizohen kapitalet me burim të paqartë ose potencialisht kriminal. Mospërfshirja e mekanizmave të fortë të kontrollit në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përjashtimi i audituesve nga përgjegjësitë për diferencat e krijuara e shtojnë rrezikun që kjo nismë të perceptohet si një formë e tërthortë e amnistisë fiskale.”

Nga janari, qeveria kërkon të bëjë edhe paqe fiskale me bizneset, duke u ofruar mundësinë e parapagimit të tatimit, kundrejt moskontrollit tatimor për një vit. Po ashtu, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e paqes fiskale me administratën tatimore, do të mund të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%. Kjo, për Dhomën Amerikane, nxit shmangie tatimore.

“Një normë tatimore prej vetëm 5% do të aplikohet në rastin kur fitimi i realizuar rritet mbi 18%, si dhe në rastin e rideklarimit të zërave të tjerë financiarë. Kjo krijon një hendek të konsiderueshëm ndërmjet normave tatimore të rregullta (15% për të ardhurat e korporatave dhe 23% për kategori të caktuara biznesesh) dhe normës preferenciale të skemës. Ky dallim i madh nuk ka justifikim ekonomik dhe krijon një nxitje të fortë për të gjitha bizneset të lëvizin drejt skemës së “paqes fiskale”, duke reduktuar ndjeshëm të ardhurat potenciale të buxhetit të shtetit. Në një periudhë ku kërkohet stabilitet fiskal dhe parashikueshmëri, kjo skemë nxit shmangien tatimore dhe tkurr bazën ekzistuese tatimore. Për më tepër, duke pasur parasysh se mbi 90% e tatimpaguesve aktualisht përfitojnë përjashtime tatimore, baza tatimore ngushtohet edhe më tej, duke rritur pabarazinë dhe duke ulur efikasitetin fiskal.”

Dhoma Amerikane kërkon rishikimin e plotë të projektligjit, duke hartuar politika fiskale që nxisin formalizimin, garantojnë konkurrencë të drejtë dhe forcojnë integritetin e administratës tatimore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›