Diaspora proteston në Times Square për vendimin në Hagë, Hajdari: Liri për çlirimtarët

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, një protestë në mbështetje të tyre është zhvilluar edhe në Nju-Jork, në Times Square.
Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga tubimi, duke përcjellë mesazhin e diasporës shqiptare në SHBA në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Të gjithë bashkë, për një qëllim, liri për çlirimtarët!”, shkruan Hajdari, duke theksuar se shqiptarët e diasporës u mblodhën “si një trup i vetëm” për të shprehur solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së, të cilët, sipas tij, janë dënuar padrejtësisht.
Ai shprehet se shqiptarët, pavarësisht trevave nga vijnë, i bashkon Kosova, historia dhe respekti për ata që, sipas tij, luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
“Mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës”, shprehet Hajdari.
Protesta në Times Square vjen pas një tjetër tubimi të zhvilluar më 12 shtator në Bronks (Bronx), ku Hajdari dhe Mark Gjonaj ishin ndër organizatorët e protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Në atë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve të UÇK-së, Batalionit të Atlantikut dhe organizatave shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën më 16 shtator aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite, në një total prej 81 vitesh burgim. Trupi Gjykues i shpalli gjithashtu të katër të pandehurit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në mesazhin e tij nga Nju-Jorku, Hajdari e mbyll me thirrjen “Liri, drejtësi, dinjitet! Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët”.
/e.xh/a.f/r.e/