Dick-u zviceran dhe “Dick-ët” tanë Madhesia e germave: Nga Feti Zeneli 20/12/2010 11:59:00

Zvicerani Dick Marty është anëtar i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, me një CV të pasur pune në çështjet juridike, për të cilën është dekoruar disa herë; po për ne shqiptarët ai mbetet thjeshtë një “dick”, në kuptimin që ka në anglisht kjo fjalë. Në raportin e tij mbi krimet e UÇK-së me në krye Hashim Thaçin, si dhe mbi kapjen e shtetit nga trafiku i drogës apo krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë shqiptare për hetimin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës dhe njerëzve të tij, ai na shfaqet si një antishqiptar i tërbuar apo racist i kohëve moderne. I publikuar në vigjilje të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë, ky raport, përveç të tjerash, kërkoi të hidhte baltë edhe mbi këtë arritje historike të shoqërisë shqiptare, duke provokuar në mënyrë të veçantë sedrën kombëtare të atyre politikanëve që janë investuar fuqishëm këto vitet e fundit për integrimin euro-atlantik të vendit tonë. Kjo është arsyeja që kryeministri Berisha, i cili përfaqëson heroin e ditëve tona për mbarëvajtjen e këtyre proceseve integruese e cilësoi raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, “…totalisht të pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Evropës”. Kryeparlamentarja Topalli, që për hir të së vërtetës, duhet thënë se ka qenë krahu i djathtë i Berishës për këto procese, pas vitit 2005, shkoi më tej në deklaratën e saj kundërshtuese duke artikuluar shprehjen: “Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës të kërkojë një ekspertizë mjeko-ligjore për reporterin zviceran, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që e kanë shtyrë Dick Marty-n të prodhojë një raport të tillë”.
Ka pasur edhe mjaft deklarata apo opinione të tjera nga politikanë dhe përfaqësues të medias në të dy shtetet me kombësi shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, por të rralla kanë qenë ato që në të cilat dallohet qartë nervi dhe ndjeshmëria kombëtare. Siç dihet, edhe në 2008-n, kur Dick-u zviceran foli për “kutinë e Pandorës” dhe pasojat “negative” të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në 2010-ën kur shkroi për “shoqërinë klanore” të këtij shtetit të ri që “nuk është një shoqëri civile e vërtetë”; ai nuk e ka pasur thjeshtë me një individ, klasë politike apo një shtet të ri në formim e sipër, por me gjithë kombin shqiptar. Tek ky konkluzion mbërrijmë edhe duke kujtuar shprehjen që, “çdo popull ka është qeveri që meriton”. Kështu arsyeton Dick-u, me sa duket; që shqiptarët e qeverisur nga një “kryeministër-mafioz”, janë të gjithë të tillë, ndaj më shumë se kurrë, o evropianë, ruhuni tani që ata fituan të drejtën e lëvizjes së lirë (!?). Por, çuditërisht, këtë paralajmërim, jo në mënyrë kaq diplomatike e të tërthortë sa Dick-u zviceran, ua kanë bërë evropianëve “Dick-ët” tanë me në krye Edvin Ramën, duke u kujtuar imazhin e eksodeve masive të fillim viteve ‘90. Kreu i Partisë Socialiste fillimisht u investua për të çuar në “kalendat kreke” lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ashtu sikundër tentoi të bënte Dick-u zviceran me pavarësinë e Kosovës, po kur e panë që këto dy ngjarje u bënë realitet, iu sulën nga pozicionet politike që mbajnë, njeri në Tiranë e tjetri në Bruksel, kryeministrave respektivë, Berishës dhe Thaçit, duke hedhur baltë mbi ta. Parë në këtë këndvështrim m’u duk tërësisht hipokrite deklarata e Ramës në mbrojtje të Thaçit, pasi Kryeministri kosovar kur sulmohet antishqiptarisht nuk mund të mbrohet nga politikanë që nuk u dhimbset çështja kombëtare. Dhe, si për ta bërë më të besueshme deklaratën e tij në sytë e qytetarëve shqiptarë, Rama u tregua shumë më i ashpër se çdo politikan tjetër që ka sakrifikuar edhe personalitetin e vet për mbarëvajtjen e çështjes shqiptare. Ai e quajti “sharlatan” majtistin zviceran, “…i cili i shtohet zogorisë së sharlatanëve që në histori kanë bërë keq, e shumë më keq, për të goditur dhe dëmtuar shqiptarët dhe çështjen e tyre”. Ndërsa mua befas m’u kujtua Longanezi me thënien e tij të famshme: “Asgjë nuk mbrohet me aq zjarr sa idetë që nuk besohen…” “…Ku ishte gjer dje kjo farë Sokoli?”, - mërmërita nëpër dhëmbë një varg të njohur të poezisë shqipe. Si nuk i vjen turp nga vetja këtij njeriu, i cili zë në gojë “shqiptarët dhe çështjen e tyre”, ndërkohë që për gati një vit e gjysmë, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, me protestat dhe qëndrimet e tij aventureske nga jugu në veri i ka vënë shkopinj nën rrota çështjes sonë kombëtare. Një politikan i përgjegjshëm, madje kryetari i një force të madhe politike në Shqipëri, siç është Partia Socialiste, çështjen kombëtare e mbron në mënyrë institucionale dhe jo në mënyrë deklarative. Deklaratat kanë rolin e vet, por ato nuk mund të zëvendësojnë, fjala vjen, pjesëmarrjen në Parlament të grupit të deputetëve socialistë për të votuar ligjet e për të ndërmarrë reformat e përbashkëta integruese në të mirë të vendit dhe shoqërisë shqiptare. Asnjë çështje, aq më pak çështja shqiptare, nuk mbrohet me fjalë, por me vepra. “Shumë nga ata që kryejnë vepra të turpshme, mbajnë fjalime të shkëlqyera”, - thotë Demokriti. Si të tillë e njohin shqiptarët e ndershëm, Ramën, këto vitet e fundit, në krye të PS-së. Ndërkohë, vlerësimi që u ka bërë dhe aksesi që ai u ka dhënë dy “oratorëve” apo dy “Dick-ëve” të tjerë të “Opozitës së Bashkuar”, Takut dhe Zogajt, tregon prirjen e tij perverse për t’i mbuluar me fjalime të mira punët e këqija, të cilat, në mënyrë të veçantë, kanë dominuar jetën politike të socialistëve shqiptarë gjatë dy viteve të fundit.