E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo City e Bylis fitojnë në përballjet e para të Javës së 5-të të Superiores

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ U luajtën sot tri ndeshjet e para të vlefshme për Javën e 5-të të kategorisë Abissnet Superiore: Tirana-Dinamo City, Bylis-Partizani dhe AF Elbasani-Teuta.

Kryendeshja e kësaj jave, ajo mes Tiranës dhe Dinamo City-t, e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, u mbyll me fitoren e “nëndetëses së verdhë”. Dinamo City u është kthyer përsëri fitoreve në kampionat, duke dalë nga kriza në një ndeshje të rëndësishme edhe për moralin për blutë, derbin përballë Tiranës, të cilën e ka mundur me shifrat 1-2.

Gudiabi për Dinamo City-n në të 24-ën minutë hapi serinë e golave; Vila në minutën e 53-të dyfishoi rezultatin pas një gjuajtjeje me kokë të topit të ardhur nga krosi i krahut të djathtë të sulmit dinamovit; Në të 57’ ishte Patsatsia për Tiranën, i cili me penallti shkurtoi rezultatin, që nuk ndryshoi deri në fërshëllimën e fundit të arbitrit.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në Ballsh, Bylisi fitoi ndeshjen e parë në kampionat, duke mundur Partizanin me rezultatin 3-1.

Ishte ekipi kryeqytetas që kaloi fillimisht në avantazh në minutën 19′. Isgandarli u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Por ballshiotët nuk u dorëzuan duke rikthyer baraspeshën në të 42-ën me Malomon. Kështu u mbyll pjesa e parë e sfidës.

Në të dytën, Malomo gjeti golin e dytë, falë një gabimi të Buxhelajt. Sfida u vulos kur Muktar shënoi të tretin për vendasit dhe Partizani kapitulloi.

Pas kësaj ndeshje, Bylisi ngjitet në vendin e 6-të, ndërsa Partizani pozicionohet në të 8-tin.

Po sot, në orën 19:00, në “Elbasan Arena” u luajt ndeshja AF Elbasani-Teuta, e cila përfundoi në barazim pa gola.

Kështu, pas 5 ndeshjesh të luajtura AF Elbasani vazhdon të kryesojë tabelën e renditjes, me 11 pikë, ndërsa Teuta shkon në kuotën e 7 pikëve.

Të dielën do të luhen në orën 19:00 dy ndeshjet e tjera të Superiores: Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Vorën, kurse Flamurtari pret Egnatian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›