Distria Krasniqi e mbyll 2025-ën si e para në botë

PRISHTINË, 24 dhjetor/ATSH/ Distria Krasniqi e ka përmbyllur vitin 2025 në krye të renditjes botërore të xhudos, duke konfirmuar statusin e saj si atletja më e mirë e Kosovës.
Kampionia evropiane dhe finaliste e Kampionatit Botëror për seniorë këtë vit, e vlerëson sezonin si shumë të suksesshëm, pavarësisht sfidave gjatë rrugës. “Ky vit ka qenë një vit i shkëlqyer për mua. Në çdo garë që kam marrë pjesë, kam qenë në podium”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për EJU.
Xhudistja pejane ka theksuar se çelësi i suksesit është aftësia për të filluar gjithmonë nga e para, pavarësisht medaljeve të mëdha. “Nuk ka rëndësi nëse fitoj ari olimpik apo titull evropian, mundohem ta harroj dhe të jap njëqind për qind në çdo garë”, ka deklaruar ajo, duke nënvizuar edhe rolin vendimtar të trajnerit Driton Kuka në analizën e çdo detaji.
/KosovaPress/