Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka ndërmarrë një sërë aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.
Në Ditën Botërore të Maleve të Pastra, e cila është një nismë që synon sensibilizimin për ruajtjen dhe mbajtjen pastër të ekosistemeve malore, punonjësit e AKZM-së në Korçë kanë nisur një aksion pastrimi në portën hyrëse të Prespës.
Ata shprehen se “kjo ditë i gjen skuadrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në terren me punë konkrete, për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara”.
“Në kuadër të nismës Male të Pastra e iniciuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe vetë administrata e Korçës, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec, me Prefekturën e Korçës dhe aktorë të tjerë lokalë, ka filluar aksion-pastrimin në portën hyrëse të Prespës. Mesazhi i kësaj dite është që duhet të kujdesemi të gjithë për këtë thesar natyror të jashtëzakonshëm, siç është Parku Kombëtar i Prespës. Të japim kontributin tonë për ta mbajtur sa më pastër dhe sa më mirë,” apeloi drejtori i AKZM-së për qarkun Korçë, Gjergji Koki.
Gjithashtu, një tjetër aksion pastrimi është ndërmarrë në Novosej të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, ku skuadrat e punës janë në terren për të dhënë kontributin e tyre për një mjedis sa më të pastër.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/