Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Dita Botërore e Maleve të Pastra është një nismë që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.
Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot mesazhin e një prej punonjësve të AKZM-së në Korçë, i cili shprehet se ka nisur një aksion pastrimi në portën hyrëse të Prespës. Kumbaro tha se “kjo ditë i gjen skuadrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në terren me punë konkrete, për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara”.
“Në kuadër të nismës Male të Pastra e iniciuar nga AKZM-ja, bashkë me administratën e Korçës, bashkinë Pustec dhe aktorë të tjerë lokalë ka filluar pastrimi në hyrje të Prespës, ku turistë të shumtë frekuentojë këtë Park Kombëtar. Mesazhi i kësaj dite është që duhet të kujdesemi të gjithë për këtë thesar natyror, të jashtëzakonshëm, të japim kontributin tonë për ta mbajtur sa më pastër dhe më mirë me qëllim që brezat që vijnë të kenë një trashëgimi sa më dinjitoze natyrore siç është Parku Kombëtar i Prespës”, shprehet punonjësi i AKMZ-së.
Gjithashtu, një tjetër aksion pastrimi është ndërmarrë sot nga AKZM-ja në Novosej të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, ku skuadrat e punës janë në terren për të dhënë kontributin e tyre për një mjedis sa më të pastër.
/e.i/j.p/