Dita Botërore e të Moshuarve, qytetarë të moshës së tretë apelojnë për më shumë përkujdesje sociale

Vetmia mbetet një plagë që dhemb më shumë se ikja e viteve që s’kthehen më.
Në Ditën Botërore të të Moshuarve, një pjesë prej tyre bëjnë thirrje për më shumë respekt njerëzor dhe përkujdesje institucionale.
Të jetuarit vetëm i kushtëzon ata në përmbushjen e shumë veprimtarive, si brenda, edhe jashtë shtëpisë, shtuar dhe faktin që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
“Unë jam vetëm. Kam 12 vjet. Jam e paralizuar këmbë e dorë, me diabet. Një çikë më respekt për moshën e madhe,” shprehet një zonjë.
“Vetëm jetoj nga 1992-shi. I bëj hyzmet vetes. I kam fëmijët. Më duan, më bëjnë… por nuk kanë mundësi. Të paktën sa jam me këmbë e duar, se më ka rënë një paralizë, e përballoj jetën vetëm. Ne drejt fundit jemi. Nuk duam salltanete,” shton një zotëri.
Reme Xholi, drejtoreshë e përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), thekson se një nga prioritetet mbetet shërbimi në banesë, harta e të cilit synon të shtrihet edhe më shumë.
“Përpjekjet tona janë fokusuar më tepër që këta të moshuar ta marrin shërbimin edhe në shtëpi përveç qendrave rezidenciale, që janë aktualisht në gjithë Shqipërinë. Sot që flasim, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, po marrin trajnim 350 profesionistë, psikologë dhe punonjës socialë,” tregon znj. Xholi.
Aktualisht nga fondi social përfitues, sipas drejtoreshës Xholi, janë 11.700 të moshuar.
“Janë të shpërndarë në 14 qendra ditore për të moshuarit, dy shërbime lëvizëse kombëtare multifunksionale, pesë shërbime të asistencës shtëpiake,” thotë drejtoresha e SHSSH-së.
Sipas parashikimeve të INSTAT-it, deri në vitin 2031 pjesa e personave të moshës mbi 65 vjeç pritet të arrijë në 21,8% të popullsisë së përgjithshme.
Me rritjen negative natyrore dhe raportin e pafavorshëm të varësisë në pleqëri, mund të pritet një nevojë në rritje për kujdes afatgjatë.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/