Dita Evropiane Kundër Trafikimit të Personave, aktivitet ndërgjegjësues në Lezhë

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Në qytetin e Lezhës në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Personave u realizua aktivitet ndërgjegjësues në kuadër të muajit antitrafik, organizuar nga Drejtoria e Shërbimit dhe Kujdesit Social.
Pjesë e aktivitetit ishin të pranishëm institucione, organizata, nxënës, komunitet, të cilët dhanë mesazhet e tyre me anë të fjalës apo performancave ndërgjegjësuese në luftën kundër këtij fenomeni.
Në këtë ditë impakt i fortë u përcoll edhe nëpërmjet ekspozitës “Trafikimi në sytë e fëmijëve”.
Simboli i kësaj dite është edhe “Zemra blu”, e cila përfaqëson trishtimin e atyre që trafikohen, duke kujtuar “zemrën e ftohtë” të atyre që blejnë dhe shesin qeniet njerëzore.
Në kuadër të kësaj dite edhe në qytetin e Shkodrës u organizua aktiviteti me sloganin: “Nga ndërgjegjësimi në veprim: Bashkohuni në luftën kundër trafikimit”.
Vitet e fundit qeveria shqiptare është fokusuar kryesisht në rivitalizimin dhe forcimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal; kontrollin e trafikimit të brendshëm, kryesisht të fëmijëve dhe grave; përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave; intensifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve për parandalimin; rritjen e ndërgjegjësimit të publikut e të personelit që punon me shërbimet e ndihmës etj. /j.p/
1 nga 10