E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Bletëve

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Bletëve, dita kushtuar insektit që jep një kontribut përcaktues në vazhdimësinë e jetës në Tokë.

Dita Ndërkombëtare e Bletëve festohet çdo vit më 20 maj për të rritur ndërgjegjësimin global për rolin thelbësor që bletët dhe pjalmuesit e tjerë luajnë në mbështetjen e ekosistemeve, sigurimin e sigurisë ushqimore dhe mbështetjen e biodiversitetit.

Në këtë ditë dedikuar bletës, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, përcolli shembullin e një bletari nga fshati Vuno. Vasil Çakalli prej vitesh i është përkushtuar me pasion dhe durim artit të bletarisë. Përmes pamjeve dhe rrëfimit të tij, dallohet lidhja e veçantë mes njeriut dhe natyrës dhe rëndësinë që ato kanë për biodiversitetin dhe jetën e përditshme.

“Himara njihet për mjaltin cilësor dhe natyral që prodhohet në të gjitha zonat e bashkisë sonë, falë florës së pasur dhe traditës së trashëguar ndër breza në bletari. Ky produkt përfaqëson jo vetëm një pasuri lokale, por edhe identitetin dhe harmoninë e komunitetit tonë me natyrën”, thotë kryebashkiaku Tavo, duke përcjellë këtë histori përkushtimi dhe tradite, që meriton të vlerësohet.

Bleta nuk prodhon vetëm mjaltin, një produkt i çmuar ushqimor. Përmes “punës” së saj të përditshme, mbledhjen e pjalmit lule më lule, ajo ndikon në pllenimin e luleve duke bërë që bimët dhe pemët të prodhojnë fruta.

Ndaj është përcaktuar një ditë e posaçme për të kujtuar rëndësinë e bletës dhe kujdesin që duhet treguar ndaj saj.

Kombet e Bashkuara e caktuan këtë datë për të nderuar Anton Janša-n, një pionier të bletarisë moderne, i lindur në Slloveni më 20 maj 1734. Dita Ndërkombëtare e Bletëve ofron një platformë për qeveritë, organizatat dhe qytetarët që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur pjalmuesit dhe habitatet e tyre.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›