Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve: Kërkojmë barazi dhe mbështetje konkrete

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, në Tiranë u zhvillua më 15 tetor, një marshim paqësor i organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë.
Në një intervistë për RTSH 24, Gjergj Smakaj, administrator i Shoqatës, theksoi se marshimi kishte si qëllim sensibilizimin e qeverisë, institucioneve dhe shoqërisë për të drejtat e personave të verbër, barazinë në shoqëri dhe përmirësimin e aksesit në infrastrukturë dhe informim.
“Ishte një marshim sensibilizuese ndaj qeverisë, institucioneve dhe shoqërisë ku të verbrit kërkojnë dhe të drejtat e tyre, barazi në shoqëri, aksin në infrastrukturë dhe informacione. Për shumë vite rresht kërkesat vijojnë të njëjta pasi nuk kemi përmirësim të kushteve të të verbërve”, tha Smakaj.
Sipas tij, dy kërkesat kryesore janë rikthimi i shërbimeve të posaçme për të verbrit, të ndërprera që prej vitit 2014, si dhe rritja e mbështetjes financiare nga shteti.
Shërbimet e munguara, tha Smakaj, përfshijnë trajnime për jetesë të pavarur, kurse orientimi dhe lëvizjeje, kurse gatimi, si edhe pajisje ndihmëse si ora, termometra dhe aparate që flasin, apo shkopat e bardhë, të cilat lehtësojnë ndjeshëm jetën e përditshme të personave me verbëri.
“Dy kërkesat primare janë shërbimet e posaçme dhe speciale për të verbrit që nga 2014 janë ndërpre dhe nuk mbështeten më nga shteti. Ato përfshijnë kurse dhe trajnime të posaçme për jetesë të pavarur, lëvizja, kurse gatimi, pajisje të posaçme aparate që flasin, ora që flasin, termometra që flasin, aparat tensioni që flasin, shkopat e bardhë dhe çdo pajisje që lehtësonin jetesën e pavarur për të verbrit. Nga 2014 këto mungojnë dhe nuk mbështetëse nga asnjë institucion as shtetëror dhe as lokal. Mospasja e këtyre shërbimeve ka rritur tej mase barrierat që verbëria ka shkaktuar, libra në gjuhën braj. Libra me audio, materialet shkollore etj. ka bërë që të verbrit që ndjekin arsimimin të bie ndër vite”, tha ai.
Smakaj theksoi se mungesa e këtyre shërbimeve ka rritur ndjeshëm barrierat sociale dhe arsimore. Ai tha se për shkak të këtyre barrierave, numri i të verbërve që ndjekin arsimin është ulur nga 60–80 persona në vit deri në 2014, në vetëm rreth 6 persona në vit sot.
“Deri në 2014 kishim 60-80 të verbër që ndiqnin arsimin, sot kemi numra shumë më të ulët 6 maksimumi në vit që mund të arrijnë që të sfidojnë këto barriera dhe të vijojnë arsimimin e tyre dhe të kenë mundësi që nesër të konkurrojnë në tregun e punës, edhe pse kjo është një tjetër plagë. Kompanitë dhe institucionet si shtetërore dhe private nuk zbatojnë ligjin për punësimin e kategorisë së të verbërve.
Pagesa për mbështetjen e kategorisë së të verbërve është 147 mijë lekë, ku parashikohet të bihen pajisje që lehtësojnë jetesën tonë, por duke parë situatën reale që nga 2009 e në vazhdim nuk ka pasur rritje të pagesave por vetëm indeksim. Infrastruktura, shërbimet publike, arsimimi, i një person i verbër duhet të mbulojë këto shpenzime përmes pagesës. Në vend që të kishim një progres të shërbimeve ne kemi shkuar drejt rënies pasi nuk ka një mbështetje financiare nga buxheti i shtetit që të vijohej me këto shërbime ndaj të verbërve”, tha Smakaj.
/rtsh.al/