E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e 34-të e protestës, qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë

Protesta qytetare ka vijuar edhe këtë të premte, duke shënuar ditën e 34-të radhazi të tubimeve para godinës së Kryeministrisë.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kryeministrisë.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre drejtuar qeverisë. Ndër kërkesat kryesore të protestuesve vijon të mbetet edhe shfuqizimi i disa nismave ligjore të qeverisë. Ata kërkojnë anulimin e “Paketës së Maleve”, të cilën e konsiderojnë të dëmshme për zonat malore, si dhe shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, që sipas tyre favorizon përvetësimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura.

Një ditë më parë, gjatë protestës së mbajtur paradite para Kuvendit, u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së saj, një nga protestueset akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim force të tepruar.

“Dënojmë fuqimisht përdorimin e forcës jo proporcionale nga Policia e Shtetit gjatë ditës së djeshme, ushtrimin e dhunës ndaj personave të neutralizuar. Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik. Dhuna e ushtruar nuk mund të përdoret si instrument frikësimi”, u shpreh protestuesja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›