E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e 35-të e protestës, para kryeministrisë edhe qytetarë nga diaspora

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Në Tiranë pasditen e së shtunës, në orën 19:00, nisi protesta e 35-të ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë.

Me flamujt kombëtarë e ato të SHBA-së, protestuesit marshuan nga sheshi “Skëndërbej” drejt  godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre.

Protesta e sotme është mbarëkombëtare ku është thirrur për të marë pjesë edhe diaspora.

Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe klasës aktuale politike. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht. Duke marrë fjalën njëri prej organizatorëve Dritan Goxhaj, tha se “sot në ditën e pavarësisë së SHBA, i urojmë popullit amerikan 250 vjetorin e pavarësisë’. “SHBA aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e çmuar e popullit shqiptar. Kujtojmë një dokument më me ndikim, deklaratën e Pavarësisë që ishte shpallja e një parimi që frymëzon popujt anembanë botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme. Kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshime me mjete paqësore”, tha ai. Ndërsa “Lironi protestuesit”, “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga mesazhet që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestë.

Ndërkohë vëmendjen më të madhe e morën simbolikat e zgjedhura për ditëlindjen e kryeministrit. Protestuesit sollën fillimisht një tortë prej betoni me mbishkrimin “edhe 100 vite në burg”, të dekoruar me flamingo, i kthyer në simbol të protestës e nisur fillimisht kundër investimit në Zvërnec.

“Ramën e kemi rrëzuar me kreativitetin tonë”, tha një protestues.

Nga podiumi u përsërit edhe kërkesa për lirimin e protestuesve të arrestuar pas përplasjeve te Kuvendi. Familjarë të tyre morën fjalën, duke pretenduar se ndaj tyre u ushtrua dhunë nga policia, ndonëse këta të fundit u sulmuan me gurë gjatë tubimeve.

Organizatori Edison Lika para Kryeministrisë deklaroi se në shtator do të jenë më të shumtë.

Protestuesit njoftuan se do të mblidhen sërish të dielën, në orën 09:00, përpara Gjykatës, ku personat e ndaluar gjatë protestës para Kuvendit pritet të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit zhvilluan edhe marshimin e përnatshëm në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Në fund protestuesit u ndalën tek komisariati numër 3 në Tiranë tek rriga Mine Peza”, ku u shënuan edhe tensione. Rreth orës 23:45 ishte një grup qytetarësh, disa prej të cilëve të maskuar, që me gurë e shkopinj sulmuan komisariatin duke thyer xhamat. Ata kërkuan lirimin e 21 protestuesve të arrestuar paai akuzohen për aktet e dhunës tlnë Kuvendil.

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, duke krijuar një kordon sigurie në të gjithë perimetrin e komisariatit. Po ashtu, u përdor edhe ujë për të shpërndarë protestuesit.

Një grup protestuesish u ulën në tokë përballë kordonit të policisë me thirrjet “lironi çunat”, “polici e krimit”, “nuk kemi frikë”. Mes protestuesve pati edhe debat. Një prej tyre bëri thirrje me megafon që të largohen dhe të rinisin marshimin, pasi nuk janë për akte dhune, por disa tjerë ju përgjigjën “jo, jo”.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›