E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e katërt e protestave, përplasje mes personave me maska dhe policisë

Studentë, të rinj të shkollave të mesme dhe mbështetës të tyre vijojnë për të katërtën ditë protestën në rrugët e Tiranës, por edhe në disa qytete të tjera të vendit.

Ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa vinin nga drejtime të ndryshme të kryeqytetit, dhe nisën marshimin përgjatë rrugës “Myslym Shyri”, ku, të ulur në rrugë, bllokuan lëvizjen e mjeteve në këtë segment.

Grupi i protestuesve vijoi marshimin edhe përgjatë Unazës së Vogël të Tiranës, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në drejtim të zonës së “21 Dhjetorit”, ku disa prej tyre, të maskuar, prishën kangjellat anës rrugës, dogjën koshat e mbetjeve, si dhe tentuan të dëmtonin kamerat e sigurisë rrugore.

Pas mesditës, protestuesit u rikthyen aty ku nisi protesta, pranë Ministrisë së Arsimit në “Rrugën e Durrësit”, ku qëlluan me mjete rrethanore, gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë, e cila iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Ndryshe nga tri ditët e para, kur dhjetëra biznese, banka të nivelit të dytë, ministri dhe ndërtesa shtetërore u dëmtuan ose iu vu zjarri, të premten deri në orën 15:00 nuk pati incidente të tilla dhe përplasjet u kufizuan vetëm me punonjësit e policisë të vendosur në terren për mbrojtjen e institucioneve.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›