Divjakë – Vritet 32-vjeçari, në pranga autori i dyshuar

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Një ngjarje rëndë ka ndodhur pas mesnate në Divjakë, ku pas një konflikti, një 32-vjeçar është goditur me thikë e për pasojë ka ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur gjatë mesnatës në fshatin Kryekuq, Divjakë.
Policia bëri të ditur se viktimë mbeti shtetasi B. K., 32 vjeç, i cili ndodhej në shoqërinë e miqve të tij. Pas ngjarjes, autori i dyshuar u largua, por u kap disa orë më vonë nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi në Polici i shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i dyshuar si autor i ngjarjes. Ai u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes dy familjeve për një kanal vaditës.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
/a.f/