Do pastronte paratë e “Costa Nostra”/ GJKKO dënon me 11 vite burg dhe i sekuestron mbi 18 milionë Euro

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçin, i akuzuar se do të pastronte në vendin tonë 18.3 mln euro të mafias italiane “Cosa Nostra”.
GJKKO ka vendosur edhe konfiskimin e 18.3 milionë eurove të depozituara në bankat shqiptare nga italianë të dyshuar të lidhur me Cosa Nostrën, që dyshohet se Taçi do t’i pastronte me transaksione përmes firmave të naftës.
Biznesmeni u gjykua në mungesë për “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal” pasi është në arrati prej vitit 2021, ndërsa për 4 italianë të dyshuar, SPAK e ka veçuar çështjen dhe i ka dërguar në Itali aty ku vijon procesi. Përkatësisht procesi është veçuar për shtetasit Frencesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli.
18.4 mln euro të mafies italiane ‘Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskuan.
Sipas SPAK, Taçi do pastronte patarë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen. Nga hetimet thuhet se, Artur Balla dhe Bledar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Një pjesë e përgjimeve që fundosën Taçin
“Rezarti ka bërë punë të madhe. Ai është fuqi, e di mirë ç’duhet bërë”
Në bisedat që ka kryer shtetasi italian Fabio Petruzzella me bashkëshorten e tij Marina Tizzi, flitet për fatin e shumës monetare (mbi 18 milionë euro) që tashmë ndodhet në Shqipëri dhe janë në pamundësi për të lëvizur fondet nga banka.
Në biseda kanë shfaqur dyshime në lidhje me besueshmërinë e pjesëtarëve shqiptarë të përfshirë në këtë veprimtari, të cilëve Petruzzella iu ka bërë presione që ai pëson nga “plaku” (Zummo) për të mësuar se ku janë paratë. Në biseda i pandehuri Rezart Taçi referohen me emrin Rezart dhe herë të tjera me inicialet RT, për të cilin flasin për një angazhim të cili ai nuk e ka kryer.
Petruzzella: atëherë, unë kam një problem Artur dhe ti duhet të më… kam nevojë për të gjithë që ti të më zgjidhësh një problem më rëndësi…. klienti im ka filluar të humbasë besimin tek unë, mh! se natyrisht ….. nuk… është mosha 90 vjeç mezi kupton çfarë po ndodh, apo jo! se më bën muhabete elementare, por më fal s’është se unë … më thotë, s’është se ne kemi kërkuar këtë shërbim të na e bëjnë falas…. pra çfarë problemi ka… më kupton? …… dhe unë dua të shoh me sytë e mi që paratë e mia janë në llogarinë time…… më kupton pra unë e kam me urgjëncë të kem një home banking jo për të vepruar, por nga një dreq telefoni ti tregoj që… që janë aty… më kupton?
Në datën 27.09.2021 Petruzzella ka biseduar me bashkëshorten e tij lidhur me udhëtimin ditën e nesërme për në Tiranë. Bashkëshortja e tij i shpreh në këtë bisedë frikën për rolin që ai duhet të kryejë pasi të ketë mbërritur në atë vend, që mund të ekspozojë atë ndaj pasojave ligjore për “pastrimin e parave”, “të parave të Zummo” dhe këmbëngul duke i thënë se shqiptarët po e mashtrojnë.
Nga ana e tij Fabio kundërshton duke thënë edhe “Rezarti është shumë i inatosur” me një person të tretë, i cili i ka kërkuar shumë para, duke thënë “të paktën 1 milion, Rezart është shumë i inatosur”.
Në datat 28-29 shtator 2021 Petruzzella ka qenë në Tiranë, konfirmuar ky fakt me sistemin Tims dhe me vëzhgimet e kryera nga policia gjyqësore. Pas kthimit të tij nga Tirana në datën 29.09.2021 Petruzzella ka biseduar me bashkëshorten e tij të midis të cilëve është kryer kjo bisedë:
Petruzzella: ….. vajta në bankë, pashë paratë… i bëra… e di që është një gjë eh… një gjë të shkosh atje dhe ti prekësh me dorë… nxorra jashtë drejtorin e bankës dhe mi tha të gjitha…. tani të them, ai më tha Fabio teknikisht ne transfertën me bankë ne mund ta bëjmë edhe për tani për një minutë dhe ti këto para mund ti çosh ku të duash, vetëm të paralajmëroj se ndodh kjo……. e bllokon drejtoria ime në Athinë të bllokojë… kështu transferta bankare teknikisht nuk niset, e dyta drejtoria e Athinës dërgon direkt te Prokuroria e Republikës së…. shqiptare që kanë antiriciklimin që ka vënë djalin aty…
Marina: jo, e mirë, nuk dua ta di… dua vetëm të di nëse ti je i qetë apo jo?
Petruzzella: po me 1000 %.
Marina: çfarë thua?
Petruzzella: po…. Rezarti është shumë i inatosur……………………. po edhe sepse Rezarti…. më tha Fabio … ta thashë dhe ta përsëris unë përgjigjem personalisht.
Marina: po paratë do ti japë?
Petruzzella: po.
Marina: Kur?
Petruzzella: këtë javë… pastaj ai ka….. të hënën tjetër, të martën…. pastaj tha të shtunën vijnë çunat….
Marina: domethënë nuk e kanë inskenuar?
Petruzzella: jooooo…. nuk mund ta kuptosh, kur eci aty me Arturin pra në Tiranë e ndalojnë të gjithë, në mes të rrugës…… në lokale, në restorante…… Arturit kunatit të Rezartit…. që pastaj krahu operativ në Shqipëri……….
Marina: domethënë nuk je i dëshpëruar Fabio…. eh e ke situatën nën kontroll?
Petruzzella: totalisht edhe Artur tha, siç të tha kapo, përgjigjemi ne…. duhet ti thuash klientit tënd që të flejë i qetë se përgjigjemi ne…