E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do shkojmë deri në vetëflijim”/ Banorët e Rrjollit në Fax News: Çështjen do ta çojmë deri në Strasburg (Dokument)

Çështja e pronave vijon të shkaktojë tension dhe përplasje mes banorëve dhe institucioneve. Të ftuar në Fax News, me gazetaren Fatime Baçi, Prekë Molla dhe Luciana Koka, banorë të Rrjollit në Velipojë, ngritën akuza të forta për atë që e cilësojnë si tentativë për t’u marrë tokat në mënyrë të padrejtë.

Gjatë intervistës, Prekë Molla deklaroi se banorët nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre, duke paralajmëruar se rezistenca do të shkojë deri në ekstrem. Ai theksoi se në mungesë të një zgjidhjeje nga institucionet shqiptare, çështja do të ndiqet deri në Gjykatën e Strasburgut.

Banorët hodhën akuza edhe ndaj politikës, duke pretenduar për përfshirje të interesave të fuqishme në projektet që prekin tokat e tyre. Sipas tyre, kjo situatë po përsëritet në disa zona të vendit, ku qytetarët ndihen të pambrojtur përballë vendimeve që prekin pronat e tyre.

Protesta e fundit para Kuvendit bashkoi banorë nga Rrjolli, Durrësi dhe Pogradeci, ku kundërshtohen projekte të ndryshme zhvillimore, përfshirë ndërtimin e resorteve dhe parqeve fotovoltaike.

Në fund të intervistës, Luciana Koka përcolli një mesazh të fortë, duke theksuar se beteja e tyre lidhet me të ardhmen e brezave: “Fëmijët tanë do e gëzojnë tokën e gjyshërve, jo të tjerët”, u shpreh ajo, duke nënvizuar vendosmërinë e banorëve për të mos u tërhequr./faxweb

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›