“Do të ketë 3+1 korsi”/ Karakaçi inspekton punimet në autostradën Tiranë-Durrës: 6 km e para hapen në fillim të majit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i shoqëruar nga kreu i ARRSH, Ami Kozeli, inspektoi punimet në autostradën Tiranë-Durrës, ku punimet tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Sipas ministrit, hapja e 6 kilometrave të para të këtij segmenti ishte planifikuar për në muajin dhjetor, por sipas tij, u shty për shkak të dimrit të lagësht dhe një sërë problematikave të tjera.
“Gjendemi në aksin Tiranë-Durrës. Në fakt është edhe aksi më i ngarkuar përsa i përket trafikut në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrjen në Tiranë, hyrjen nga pjesa e Aeroportit të Rinasit edhe lidhjen me qytetin e Durrësit. Ky segment është një segment i rëndësishëm. Ne gjendemi këtu në punimet që po kryhen në 6 kilometrat e para të këtij segmenti. Patjetër kemi patur operacion të vështirë për zbatimin e tij, sepse jemi përpjekur që të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve. Dëshira jonë ka qenë që ta përfundonim brenda dhjetorit këtë vepër. Dhe në fakt deri në vjeshtë punimet kishin ecur me ritme shumë të mira. Por më pas u hasëm me një dimër shumë të lagësht. Në kontratë jemi brenda kushteve të kontratës, sepse e kemi brenda muajit korrik dorëzimin e këtij aksi”, tha Karakaçi.
Ndërkohë Kozeli tha se punimet për 6 kilometrat e para të këtij aksi janë në fazën finale dhe pritet të përfundojnë brenda fillimit të muajit maj.
Ai shtoi se kjo autostradë do të jetë një rrugë që do të ketë 3+1 korsi, pra 3 korsi për mjetet e zakonshme dhe një korsi emergjence.