E Martë, 3 Nëntor 2026

Dogji tri sipërfaqe toke dhe rrezikoi jetën e banorëve, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar një 34-vjeçar pasi dogji tri sipërfaqe toke në afërsi të një karburanti dhe rrezikoi jetën e banorëve në zonë.

Policia bëri të ditur sot se “sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në afërsi të autostradës “TEG – Tiranë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e autorësisë, si dhe për të mundësuar shuarjen e zjarrit, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse”.

“Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, J. S., 34 vjeç, banues në fshatin Mjull Bathore”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët, që të mos ndezin zjarre, pasi reagimi i strukturave të Policisë do të jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të sanksioneve të Kodit Penal. Gjithashtu, fton që të denoncohet menjëherë çdo indicie për këtë veprimtari kriminale, me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi, si dhe të zbardhen menjëherë autorësia dhe rrethanat.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›