Dosja “Partizani”, Berisha: Proces politik në GJKKO

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij për dosjen “Partizani”, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) “fund e krye një piramidë mashtrimi”.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi”, shkruan Berisha.
Sipas Berishës prokurorët e SPAK nisën hetimin 30-vjeçar ndaj tij për arsye politike. Berisha liston më tej edhe arsyet pse sipas tij procesi gjyqësor është politik dhe se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij për akuzën për dosjen “Partizani”.
“Nuk ka asnjë qindarkë dëm në para publike. Shteti veç ka përfituar nga zbatimi i ligjit. Në këtë proces nuk ka asnjë zyrtar të çfarëdo niveli që dyshohet për asnjë veprim të paligjshëm pasi ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit”, nënvizon Berisha ndër të tjera.
Berisha shkruan se “nuk ka asnjë provë, asnjë dëshmi, asnjë dokument që të tregojë se Berisha ka bërë ndërhyrjen më të vogël ndaj kujtdo”.
“Prokuroria politike akuzon Sali Berishën për korrupsion pasiv, duke shpallur të tillë edhe solidaritetin familjar dhe aktet e bamirësisë për fëmijët në nevojë”, shkruan Berisha.
/m.q/j.p/