Dosja “Partizani”, Genc Ruli dëshmon sot në GJKKO për privatizimin e kompleksit sportiv

Seanca e sotme në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të sjellë dëshmi të rëndësishme në procesin gjyqësor për aferën “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.
Për të dëshmuar është thirrur ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili konsiderohet një nga zyrtarët kyç në procedurat që çuan në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas dosjes së SPAK, Ruli ka qenë pjesë e procesit që nga fillimi i qeverisjes së Berishës në vitin 2005, së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke ndjekur procedurat që çuan në privatizimin e pronës.
Një nga çështjet që pritet të marrë vëmendje në seancë lidhet me ndryshimet në metodologjinë e pagesës së privatizimit. Në një mbledhje qeverie të dhjetorit 2008, sipas materialeve të administruara në dosjen e SPAK-ut, u miratua formula që parashikonte pagesën e 20 për qind të vlerës në para dhe 80 për qind me bono privatizimi dhe letra me vlerë.
Në transkriptet e përfshira në dosje pasqyrohen diskutime mes Rulit dhe Berishës lidhur me këtë skemë, e cila konsiderohet nga prokuroria si një element i rëndësishëm i procedurës së privatizimit.
Ndërkohë, në një deklarim të dhënë në SPAK në vitin 2022, Ruli ka pohuar se përshpejtimi i procedurave është bërë pas kërkesave të pronarëve dhe se në atë kohë nuk kishte dijeni që një nga përfituesit e procesit ishte Jamarbër Malltezi.
Përveç Rulit, sot pritet të dëshmojnë edhe ish-drejtoresha e sporteve në Ministrinë e Sportit, Violeta Shqevi, juristja e ish-Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tetis Lubonja, si dhe specialisti i kësaj agjencie, Altin Ceni.
Një tjetër dëshmitar i rëndësishëm është edhe Paro Laçi, i cili më herët ka deklaruar publikisht se i janë bërë oferta financiare dhe presione për të mos folur lidhur me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Seanca e sotme konsiderohet një nga më të rëndësishmet e procesit, pasi dëshmitë e personave të thirrur pritet të hedhin më shumë dritë mbi vendimmarrjet dhe procedurat që çuan në privatizimin e pronës që ndodhet në qendër të hetimit të SPAK-ut.