Dosja “Partizani” në GJKKO, dëshmon Taulant Balla: Privatizimi i kompleksit u bë në mënyrë të paligjshme, me çmim qesharak dhe në kohë rekord

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish‑kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë, lidhur me privatizimin e ish‑kompleksit sportiv “Partizani”.
GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për thirrjen në gjyq të 11 dëshmitarëve, ndërsa sot dëshmoi edhe deputeti i PS, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.
Balla deklaroi se prej vitit 2012 ka paraqitur dyshimet e tij mbi mënyrën e privatizimit të kompleksit, duke theksuar se procesi nuk është zhvilluar sipas procedurave ligjore dhe se të akuzuarit kanë shfrytëzuar pozitat e tyre. Ai shtoi se prona shtetërore u privatizua në kohë rekord dhe me një çmim “qesharak” dhe se, sipas tij, kemi të bëjmë me fshehje pasurie.
Balla akuzoi Jamarbër Malltezin se ka shfrytëzuar lidhjet familjare me ish‑kryeministrin Berisha për të mundësuar privatizimin.
“Prej vitit 12 kam paraqitur dyshimet e mia nën lidhje me privatizimin e kompleksit partizani. Kam vlerësuar se ky proces ka qenë një proces që nuk është zhvilluar sipas proceduarave ligjore. Të akuzuarit kanë shfrytëzuar pozitat e tyre dhe pozicionet e tyre. Binte në sy se si vetëm një pronë shtetërore ishte kthyer dhe ishte privatizuar në një kohë rekord ndërkohë që qindra qytetarë vuajnë për të marrë pronat e tyre. Këtë vëzhgim e kamë bërë në cilësinë e deputetit të opozitës por edhe si sportdashës pasi aty ushtronte veprimtarinë një klub i rëndësishëm. Ky truall njëherë nuk ishte në planin e përhapjes pastaj ishte. Pyetja është si dy godina aq të mëdha mund të vlerësoheshin me një çmim aq qesharak. Në vlerësimin tim të bërë në kallëzim kam hedhur dyshime se kishim të bëjmë edhe me një fshehje të pasurisë. Jamarbër Malltezi ka shfrytëzuar lidhjet familjare me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe ka bërë të mundur privatizimin e këtij kompleksi”, tha Balla.
Pjesë e dëshmisë në seancë
Jamarbër Malltezi: A na sqaroni pozicionin aktual?
Balla: Jam pjesë e kuvendit të Shqipërisë.
Jamarbër Malltezi: Cili ligj është kur thoni se është kthyer në mënyrë të paligjshme?
Balla: Mendoj se duhej t’i mbetej ushtrisë. Është shkelur interesi publik dhe kur ka shkelje të interesit publik ka shkelje ligji
Jamarbër Malltezi: Cilave akteve ligjore i jeni referuar kur keni bërë kallëzim
Balla: Kodit penal dhe legjislacionit në fuqi
Jamarbër Malltezi: Cilës provë i referoheni konkretisht?
Balla: S’ka provë më të qartë se akti i vlerësimit të asaj prone 2 godina të mëdha në qendër të Tiranës vlerësohen 100 mijë euro.
Malltezi: Pse thoni të vetëquajtur ish pronar?
Balla: Rezulton se shteti italian i ka kompensuar ish-pronarët e në këto kushte nuk janë pronar.
Malltezi: Thotë se disa familje janë shpronësuar, pra në rast se ty të del që është shpronësuar Adem Xhepa, është kjo provë që janë shpronësuar dhe të tjerët?
Balla: I takon prokurorisë ta hetojë dhe verifikojë këtë rast
Malltezi: Po që i kthehet Mond Begos brenda një viti?
Balla: Nuk ka lidhje me këtë çështje znj.gjyqtare
Gjyqtarja: Nuk pranohet pyetja
Malltezi: A jeni në dijeni të vendimit të 2006 të firmosur nga Edi Rama?
Balla: Derisa nuk e kam në kallëzim nuk kam dijeni
Malltezi: A jeni dijeni të vendimit të 2008 me firmë të Ramës për lejet e ndërtimit?
Balla: Jam vënë dijeni që aty në atë fushë po ndërtoheshin 17 godina. E para në kallëzim s’jam referuar kësaj pjese, i qëndroj kallëzimit tim, të isha në dijeni do e fusja në kallëzim.
Malltezi: Këtë leje e ka firmosur Edi Rama jo Sali Berisha.
Në vijim të seancës, pritet të dëshmojnë edhe dëshmitarë të tjerë të thirrur nga SPAK.
Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për veprën penale “korrupsion pasiv”. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka lejuar një zinxhir institucionesh të shkelin ligjin lidhur me ndalimin e ndryshimit të destinacionit të terreneve sportive dhe privatizimin e tyre, duke favorizuar dhëndrin e tij.
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.
/rtsh.al/