E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e AKSHI-t, Apeli i GJKKO-së lë në burg Ergys Agasin

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, la sot në fuqi masën “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, i arrestuar për dosjen e AKSHI-t.

Gjithashtu edhe për ankuesin Uljan Shpataraku u miratua në Apel nga i njëjti trup gjykues masa e sigurimit “arrest me burg” e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

Kundër këtyre vendimeve mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Sipas GJKKO, Ergys Agasi është nën hetim dhe dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe grupin e strukturuar kriminal, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Agasi dyshohet gjithashtu edhe për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›