E Premte, 6 Nëntor 2026

Drama për pasurinë e Michael Jackson, Paris përballet me një tjetër pengesë në gjykatë

Drama për pasurinë e Michael Jackson, Paris përballet me një

Përplasja mes Paris Jackson dhe administratorëve të pasurisë së babait të saj, legjendës së muzikës Michael Jackson, ka hyrë në një tjetër fazë.

Një gjykatës në Los Angeles ka lejuar që John Branca, administratori i pasurisë së këngëtarit, të mbajë konfidenciale disa informacione të kufizuara lidhur me shpenzimet ligjore, kostot dhe raportimin financiar të pasurisë.

Sipas raportimeve të Page Six, vendimi është marrë me argumentin se publikimi i këtyre të dhënave mund të ndikojë në çështjet gjyqësore dhe marrëdhëniet tregtare që janë ende në proces. Kërkesat për konfidencialitet nuk u kundërshtuan dhe vendimi nuk nënkupton se gjykata ka dalë kundër Paris Jackson në kërkesën e saj kryesore.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Paris ka nisur një betejë ligjore për të detyruar administratorët të transferojnë rreth 600 milionë dollarë në fondin familjar të krijuar për të dhe dy vëllezërit e saj, Prince dhe Bigi.

Në dokumentet e depozituara në gjykatë më 29 tetor, Paris pretendon se fondi familjar i Michael Jackson nuk është financuar sipas dëshirës së babait të saj, pavarësisht të ardhurave të jashtëzakonshme që pasuria ka gjeneruar ndër vite.

Sipas saj, trashëgimtarët nuk kanë përfituar atë që parashikonte testamenti i këngëtarit dhe vazhdojnë të varen nga vendimet e administratorëve për mënyrën dhe kohën e shpërndarjes së parave.

Paris kërkon që gjykata të urdhërojë transferimin fillestar të 600 milionë dollarëve, ose të një shume tjetër që gjyqtari do ta konsiderojë të arsyeshme.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pasurisë argumentojnë se ekzistojnë ende çështje ligjore dhe financiare të pazgjidhura, përfshirë një mosmarrëveshje me autoritetet tatimore amerikane, të cilat pengojnë financimin e plotë të trustit.

Administrata mohon gjithashtu pretendimet se ka mbajtur qëllimisht larg fëmijët nga paratë e tyre dhe thekson se mbi 200 milionë dollarë janë shpërndarë ose shpenzuar në interes të përfituesve.

Kur Michael Jackson ndërroi jetë në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare, pasuria e tij përballej me borxhe të konsiderueshme, që vlerësoheshin në rreth 500 milionë dollarë.

Megjithatë, vitet pas vdekjes së tij sollën një transformim të jashtëzakonshëm financiar. Marrëveshjet për të drejtat muzikore, shitjet e aseteve dhe projektet e lidhura me emrin e artistit e kthyen trashëgiminë e tij në një perandori që vlerësohet në miliarda dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›