Dredha: Forcat zjarrfikëse në punë për shuarjen e zjarrit në Tragjas

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në Tragjas të Vlorës po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë pasditen e sotme.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha informoi sot në rrjetet sociale se “forcat zjarrfikëse janë aktualisht në terren dhe po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, në zonën e Tragjasit”.
“Megjithëse në terren të vështirë, po merren të gjitha masat për të izoluar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve”, tha Dredha, i cili ndodhet në terren për të inspektuar situatën.
Zjarri ka përfshirë malin e Tragjasit, ku terreni për ndërhyrje është i vështirë.
Ndërkohë që në disa zona te vendit kanë rënë zjarre ditët e fundit. Si pasojë e aktivizimit të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, në Shqipëri kanë mbërritur për të ndihmuar në përballimin e situatës së zjarreve dy avionë “Air Tractor Fire Boss” të Forcës Ajrore suedeze dhe një avion “Canadair” i Forcës Ajrore kroate.
1 nga 5/a.f/