Drejt zgjidhjes situata e furnizimit me ujë në Vlorë, mbërrin pajisja nga Turqia

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Pajisjet e nevojshme për riparimin e dëmit në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm në Vlorë kanë mbërritur në qytetin bregdetar.
Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë rinisur punën për rregullimin e defektit.
Nga 3 fasheta të sjella nga Turqia, për riparimin e çarjes së tubacionit kryesor në qytetin bregdetar do të përdoret vetëm 1, ndërsa 2 të tjerat do të ruhen në raste të tilla emergjence.
Më herët Ministria e Mbrojtjes ndau pamje nga mbërritja në Rinas nga Turqia e materialeve për sistemin e ujit të pijshëm.
Më herët edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar në një postim në Twitter për situatën e krijuar në Vlorë, ku prej 4 ditësh mungon uji. Kreu i qeverisë njoftoi se pajisjet ishin nisur nga Stambolli për në vendin tonë.
Rama u shpreh se “në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standardeve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”.
/gj.m/a.f/r.e/