“Drejtësi e pavarur, objektiv i PS”, Rama: Të kërkosh standarde nuk është sulm ndaj SPAK apo Gjykatës

Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se reforma në drejtësi është vullnet vetëm i Partisë Socialiste. Në një komunikim online me komentuesit, Rama tha se drejtësinë e pavarur e kanë patur objektiv që nga koha kur PS ishte në opozitë.
“Kjo që sheh sot, ka qenë e shkruar në programin tonë që kur ishim në opozitë,- atëherë do të vazhdonte të ishte ende e paimagjinueshme që drejtësia të godiste majtas e djathtas deri fare lart, ashtu siç ka qenë e paimagjinueshme 100 e kusur vite”, tha Rama.
Rama ndalet sërish te arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj
“Unë mendoj që të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të Bashkisë së kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë, por është detyrim”, deklaroi ai.
Këtë standard, Rama e konsideron themeltar për procesin e anëtarësimit në BE.
“Një drejtësi e pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi garante e lirive dhe e të drejtave kushtetuese të kujtdo, pa përjashtim, është thelbi i një demokracie të fortë evropiane”, përfundoi ai.
Në përfundim kreu i qeverisë u ndal te zgjedhjet e 11 majit, duke akuzuar opozitën se po kërcënon të shkrije SPAK-un, ndërsa rruga drejt Europës tha ai, është vetëm me Partinë Socialiste. /vizionplus.tv