Drejtoresha e Luvrit jep dorëheqjen pas ‘vjedhjes së shekullit’

Drejtoresha e muzeut të Luvrit në Paris dha dorëheqjen pas “grabitjes së shekullit” të vitit të kaluar, ku u vodhën xhevahire të kurorës me vlerë 88 milionë euro.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se e pranoi dorëheqjen e Laurence des Cars dhe vlerësoi vendimin e saj për të dhënë dorëheqjen si “një akt përgjegjësie në një kohë kur muzeu më i madh në botë ka nevojë si për stabilitet ashtu edhe për një shtysë të re të fortë”, sipas Pallatit Elize.
“Presidenti e falënderoi atë për punën dhe angazhimin e saj gjatë viteve të fundit dhe, duke njohur ekspertizën e saj të pamohueshme shkencore, i besoi asaj një mision brenda kuadrit të presidencës franceze të G7, duke u përqendruar në bashkëpunimin midis muzeve kryesore të vendeve pjesëmarrëse”, tha Pallati Elize.
Des Cars i kishte ofruar më parë dorëheqjen e saj Ministres së Kulturës Rachida Dati pas grabitjes ku hajdutët hynë me forcë në Galerinë Apollo të muzeut, por kërkesa u refuzua në atë kohë.
Ajo pranoi vitin e kaluar se “infrastruktura teknike absolutisht e vjetërsuar, madje e munguar” për të monitoruar thesaret më të vlefshme të vendit ishte një “vëzhgim i tmerrshëm” për muzeun më të madh në botë.
Des Cars u bë drejtoresha e parë femër e Muzeut të Luvrit në historinë e tij 230-vjeçare, kur mori përsipër rolin në shtator 2021. Në vitin 2024, Luvri priti 8.7 milionë vizitorë.
/rtsh.al/