Drejtori i EBU intervistë për RTSH: Mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Gati të ndihmojmë në çdo mënyrë për reformimin e televizionit

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran, dha një intervistë ekskluzive për RTSH me gazetaren Sonila Agostini, ku përcolli mesazhe të qarta mbështetjeje për drejtimin e medias publike shqiptare.
Ai vlerësoi Drejtoreshën e Përgjithshme, Eni Vasili, për punën e bërë në krye të televizionit publik, duke e cilësuar si një drejtim të suksesshëm dhe të domosdoshëm për transformimin e RTSH-së.
“Mesazhi i parë që i sjell gjithkujt është se ne mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Ne besojmë se ajo po bën një punë të mirë në drejtimin e kompanisë dhe ne duam ta mbështesim për këtë gjë”, u shpreh Curran.
Ai theksoi se EBU është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë për transformimin e televizionit, duke ofruar mbështetje maksimale në këtë proces. Po ashtu, Curran shtoi se EBU është e gatshme të ndihmojë RTSH-në edhe në përgatitjet kombëtare dhe ato përballë Brukselit, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve të zgjeruara me Bashkimin Europian.
“Mesazhi tjetër që sollëm është se ne jemi këtu për t’ju ndihmuar në rrugën tuaj. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar në përgatitjet kombëtare dhe në ato përballë Brukselit, sepse ju keni marrëdhënie të shtuara me Brukselin dhe BE-në dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mesazhi i tretë është se jemi këtu t’ju ndihmojmë që të ndërtoni një hartë transformimi. Jemi gati të ndihmojmë në çdo mënyrë dhe ky ishte mesazhi im, ai i mbështetjes, mbështetjes për drejtuesit e RTSH-së, drejtoreshës dhe këshillit drejtues, dhe u gëzova kur pashë se të gjitha palët e kuptojnë se ka nevojë për ndryshim dhe zhvillim dhe që ka një bashkëpunim të mirë mes drejtueses dhe këshillit, por edhe politikisht më duhet të them”, tha ai.
/rtsh.al/