E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së: Ndryshimi dhe investimi në teknologji, sfidat kryesore për median publike

Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së, Noel Curran vlerëson ndryshimin si sfidën kryesore me të cilën përballet sot media publike. Në një intervistë ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar, me gazetaren Sonila Agostini, ai konsideroi si thelbësore nevojën për transformim, sipas tij për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar në një realitet mediatik që ndryshon me shpejtësi.

 “Sfida që ju hasni është sfida që çdo media publike has dhe që është se duhet të ndryshoni. Shumë njerëz thonë se janë të hapur ndaj ndryshimit, por kur ndryshimi ndodh realisht, shpesh has qëndresë. Megjithatë, nëse nuk ndryshon, një organizatë përballet me vështirësi. Kështu që unë mendoj se kjo është sfida kryesore”, tha Drejtori i EBU.

Një nga aspektet më të rëndësishme të transformimit, sipas drejtorit të EBU-së lidhet me qasjen ndaj teknologjisë dhe mënyrën se si organizatat mediatike duhet të përshtaten me zhvillimet e reja.

Curran nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe politike për të realizuar procesin e modernizimit të medias publike. Sipas tij, përveç mbështetjes nga menaxhmenti dhe këshillat drejtues, është e domosdoshme edhe mbështetja e politikës, e cila duhet të shoqërohet me investime konkrete.

“Duhet ndryshim në qasjen ndaj teknologjisë. Keni shumë kanale duke marrë parasysh popullatën që dobëson ndikimin tuaj. Pra ka një gamë gjërash të ndryshme si kjo që unë besoj se duhet t’i shikoni nga afër, në atë që po bëni, dhe pastaj është çështja e sigurimit të mbështetjes, mbështetjes nga menaxhmenti, nga Këshilli, por gjithashtu edhe mbështetje politike, në kuptimin që politikanët t’ju përkrahin në rrugëtimin tuaj përpara dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm me fjalë. Fjalët janë të rëndësishme, por për teknologjinë duhet investim. Për t’u modernizuar, nevojitet investim. Si mundet RTSH të sigurojë këtë investim? Nëse ka vullnetin, siç mendoj edhe unë që e ka, për të bërë ndryshimet dhe për të bërë përpara!”, nënvizoi drejtori i përgjithshëm i EBU.

Duke u ndalur te situata në Shqipëri, Curran theksoi se konkurrenca në tregun mediatik është e fortë, por kjo nuk e bën të pamundur zhvillimin e medias publike. Sipas tij, çështja kryesore mbetet gatishmëria e institucionit për të ndryshuar dhe ndërgjegjësimi i stafit për këtë proces, ndërsa mbështetja politike për realizimin e këtyre ndryshimeve, për të, nuk mungon.

“Unë mendoj që të gjithë janë duke u përballur me këto lloj sfidash konkurrence në të gjithë Europën. Shqipëria ka një treg të veçantë me një sektor të fortë komercial, por këto (sfida) nuk janë të pamundura dhe ne kemi nevojë për media të shërbimit publik. Është diçka për të cilën ia vlen të luftohet. Për mua çështja është, nëse institucioni dëshiron të ndryshojë. Dhe unë besoj se po. A e kupton personeli juaj se duhet të ndryshojë, përndryshe do të jetë në vështirësi serioze në vitet e ardhshme. Shpresoj që ata e kuptojnë këtë. Nga pikëpamja politike, ata janë të hapur për ndryshim dhe unë e pashë këtë drejtpërdrejt sot nga Kryeministri juaj”, nënvizoi  Drejtori i EBU-së.

Hapi i radhës, për drejtorin e EBU-së është hartimi i një plani të qartë për transformimin e medias publike, zbatimi i tij dhe sigurimi i mbështetjes së nevojshme financiare nga qeveria për investimet që kërkon modernizimi i saj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›