E Diel, 1 Nëntor 2026

Drithërat po shiten nën kosto, fermerët kërkojnë politika që mbështesin prodhimin vendas

Në Lushnjë fermerët e drithërave kryesore si misri, gruri dhe elbi janë duke shitur prodhimet e tyre. Në rrugë, oborre shtëpish apo magazina të improvizuara, këto ditë syri të sheh tonelata drithërash për treg.

Misri për ta ka qenë një ndër drithërat më të leverdishëm për treg, megjithëse kostot e larta i kanë ulur paksa çmimin aktual:

“Unë po e shes me 30.000 mijë lekë kuintalin. Me leverdisë, s’më leverdisë aq është tregu. Kështu si fshatarët e tjerë po e shesim dhe ne. Po aty do ndajmë shpenzimet që kemi bërë.”

Fermerë të tjerë shprehen se çmimi i shitjes në treg është nën koston e prodhimit. Rritja e çmimit të naftës, plehrave kimike dhe punimeve të tokës e bën të paleverdisshme mbjelljen e këtyre kulturave. Sipas tyre, çmimet e ulëta diktohen edhe nga tregtarët e mëdhenj grumbullues, apo edhe konkurrenca përmes importit të drithërave.

“Tregtarët çmimin e elbit nuk e kërkojnë më shumë se 27.000 lekë. Grurin e misrin nuk e kalon kurrë ky çmim, sepse me 27.000 lekë nuk dalin shpenzimet. Jo më të më mbeten 5 lekë për mua. Sivjet, nga 10 që mbolla që kam pasur, do të mbjell vetëm një dylym e gjysmë, sepse nuk kam leverdi. Me këtë çmim që kemi, nuk na leverdis as mielli i misrit.”

Prodhuesit e drithërave, për të mos pasur problematika të tilla, kërkojnë mbështetje konkrete për mbrojtjen e prodhimit vendas dhe rregullimin e tregut për sezonin e ardhshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›