E Enjte, 5 Nëntor 2026

Duka: Ngushëllime familjes së 14-vjeçarit, një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehu sot ngushëllimet për familjen e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili ndërroi jetë të hënën e 18 tetorit pas një sherri masiv mes adoleshentëve pranë shkollës “Fan Noli’ në Tiranë.

“Miqtë e mi! Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla! Aq më tepër sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtësisht në mes”, theksoi Duka.

“Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!”, shtoi Duka.

“Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona! Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!!”, nënvizoi Duka.

“Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij! Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre. Pusho i qetë Martin! Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë”, përfundoi Duka. /j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›