E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka uron Infantinon për 10-vjetorin në krye të FIFA-s: Një dekadë zhvillimi dhe profesionalizmi global

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka uruar Presidentin e FIFA, Gianni Infantino, me rastin e 10-vjetorit të tij në krye të institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Përmes një video-mesazhi, Duka shprehu vlerësimin për lidershipin dhe vizionin e Infantino-s gjatë kësaj dekade, duke theksuar se nën drejtimin e tij FIFA ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, me rritje të investimeve, standardeve dhe përfshirjes globale.

“Gjatë këtyre dhjetë viteve të presidencës suaj, FIFA ka hyrë në një epokë të re. Organizata është transformuar në çdo drejtim, me qeverisje më të fortë, të ardhura në rritje, transparencë të shtuar dhe një nivel më të lartë të profesionalizmit”, shprehet Duka në mesazhin e tij.

Ai vlerësoi organizimin e kompeticioneve madhore në standarde të larta, si dhe zgjerimin e aktiviteteve për të rinjtë në mbarë botën, duke nënvizuar rëndësinë e politikave të solidaritetit dhe mbështetjes financiare për federatat anëtare.

Sipas Dukës, rritja e financimit për federatat ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e futbollit shqiptar.

“Në Shqipëri, ne kemi përfituar shumë nga programi FIFA Forward. Së bashku inauguruam Shtëpinë e Futbollit në Tiranë, një nga investimet më të rëndësishme në vendin tonë, që përfaqëson zhvillim dhe mundësi për brezat e ardhshëm”, thekson ai.

Në përfundim, Presidenti i FSHF-së i uroi Infantino-s forcë dhe vendosmëri për të vijuar drejtimin e FIFA-s me të njëjtin pasion dhe prioritet për zhvillimin global të futbollit, duke rikonfirmuar angazhimin e FSHF-së për bashkëpunim të ngushtë me institucionin ndërkombëtar.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›