E Premte, 6 Nëntor 2026

Dumani: Nuk ka një rast të vetëm që SHBA të ketë ndërhyrë në hetimet tona

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani deklaroi sot se SPAK ka një bashkëpunim shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me misionet e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe me FBI-në.

Në një intervistë për RTSH, Dumani u shpreh se ata kanë kontribuar në rritjen e institucionit dhe bërjen funksionale të tij, por se nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që ata të ndërhyjnë në hetimet e SPAK, t’i drejtojnë apo orientojnë ato.

Sipas Dumanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes këtyre misioneve, kanë qenë prezent që në momentin që është dizajnuar SPAK-u në ligj.

Më tej, tha ai, kanë qenë prezent në përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, në përzgjedhjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përzgjedhjen e drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme.

“Na kanë mbështetur me trajnime, ne dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Na kanë mbështetur me mjete teknike, me infrastrukturë, me qëllim që të krijohen kushtet për ushtrimin e funksioneve tona. Kemi prezencë të FBI-së në zyrat tona, na është premtuar se edhe DEA do hapë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA-në, me FBI-në dhe me DEA-n. Hetime të përbashkëta ku cenohen interesat e dy shteteve tona. Dua t’i falënderoj SHBA-në, përfaqësuesit e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe FBI për mundësinë që na kanë dhënë që të kemi kontakte me agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Europë por sidomos në Amerikën Latine”, tha Dumani. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›