Durrës-Gjendet çanta me lëndë plasëse në afërsi të një hoteli, policia kryen shpërthim të kontrolluar

Mbrëmjen e sotme, një çantë e dyshimtë që përmbante lëndë plasëse është gjetur në afërsi të një hoteli në qytetin e Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1, pranë hyrjes së një hoteli afër shkollës “Gjergj Kastrioti” ku sipas informacioneve, çanta e dyshimtë u zbulua nga policia, e cila mobilizoi forcat xheniere për të vlerësuar situatën.
Pas identifikimit të materialit shpërthyes, specialistët e policisë kryen një shpërthim të kontrolluar për të eliminuar rrezikun.
Gjatë operacionit, policia rrethoi perimetrin e zonës dhe evakuoi qytetarët dhe turistët e pranishëm për të garantuar sigurinë e tyre.
Fatmirësisht, operacioni përfundoi pa asnjë të lënduar, dhe situata u vu shpejt nën kontroll.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorët e dyshuar.
“Policia ka kryer mbrëmjen e sotme një shpërthim të kontrolluar në qytetin e Durrësit, pasi në hyrjen e një hoteli në lagjen nr.1, pranë shkollës “Gjergj Kastrioti”, u gjet një çantë e dyshimtë që përmbante lëndë plasëse.
Materiali shpërthyes u identifikua dhe u neutralizua nga forcat xheniere, duke shmangur rrezikun për qytetarët dhe turistët e shumtë që ndodheshin në zonë. Gjatë operacionit, policia rrethoi perimetrin dhe evakuoi njerëzit përreth për të siguruar jetën e tyre.
Fatmirësisht, nuk ka të lënduar. Hetimet vijojnë për të zbuluar rrethanat dhe autorët e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/