E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, hetime për hidrovorin/ Sekuestrohet në Bashki dokumentacioni i tenderit

Prokuroria e Durrësit ka intensifikuar hetimet për përmbytjet që kanë goditur qarkun ditët e fundit, ku u shënua një viktimë dhe u shkaktuan dëme materiale. Në kuadër të këtij hetimi, prokurorët kanë sekuestruar dokumentacionin që lidhet me ndërtimin e hidrovorit të ri në zonën e Porto Romanos, një investim me vlerë rreth 19 milionë euro.

Sipas grupit të hetimit, është sekuestruar dokumenti me titull “Hartim i studimit të projektit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën Porto Romano-Kënetë dhe sistemi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit”, i realizuar në kuadër të procesit të rindërtimit, me fond limit 87 milionë lekë.

Po ashtu, pranë Bashkisë së Durrësit është marrë e gjithë procedura tenderuese për ndërtimin e hidrovorit, si edhe dokumentacioni që lidhet me zbatimin e projektit në terren.

Burime nga Prokuroria konfirmojnë se ekzistojnë dyshime se hidrovori nuk ka funksionuar në momentet kritike, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përmbytje.

Tenderi për ndërtimin e hidrovorit të Porto Romanos është fituar tre kompani, ku njëra prej tyre zotërohet nga babai I ish drejtorit të ujësjellësit të Durrësit, ndaj prokuroria dyshon se procedura e prokurimit mund të ketë qenë e paracaktuar.

Prokuroria e Durrësit po heton veprat penale të shpërdorimit të detyrës, përmbytjes së pronës dhe përmbytjes së pronës nga pakujdesia, për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale dhe individuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›