E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy shtetas kroatë mbërritën me skaf në Vlorë dhe përfunduan në spital, zbardhet ngjarja

Pasditen e djeshme një mjet lundrues skaf me flamur anglez ka mbërritur në portin e Vlorës dhe dy personat që ndodheshin në bord, me kombësi kroate janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Gazetarja Afrovita Hysaj duke iu referuar burimeve nga policia raporton për RTSH se mjeti lundrues ishte nisur nga porti i Korfuzit me destinacion portin e Dubrovnikut, Kroaci, por gjatë lundrimit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ata kanë pësuar dëmtime fizike.

Për këtë arsye, mjeti është kthyer në portin e Vlorës, ku përmes një agjencie detare është kërkuar shërbim shëndetësor. Të dy personat janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për trajtim mjekësor.

Mësohet se edhe mjeti lundrues, siç shihet në pamje ka pësuar dëmtime dhe defekt si pasojë e motit të përkeqësuar. Sa i përket gjendjes shëndetësore të dy turistëve, sipas bluzave të bardha pas ndihmës mjekësore janë tashmë të rehabilituar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›