E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dyshohet se kryenin vjedhje në hotelet luksoze/ Arrestohen dy shqiptarë në Itali

Dy shqiptarë, 21 dhe 25 vjeç, janë arrestuar në qytetin e Brixenit, në rajonin e Tirolit të Jugut në Itali, pasi ndodheshin në arrati që prej muajit shtator.

Ata dyshohen për përfshirje në një grup kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe vjedhjen e sendeve me vlerë në hotele luksoze të rajonit.

Sipas mediumit gjermanofolës UnserTirol24, arrestimi i dy të rinjve erdhi pas disa muajsh hetimesh dhe kërkimesh nga autoritetet italiane.

Më 9 shtator 2026, një gjyqtar hetues në Gjykatën e Bolzanos kishte lëshuar urdhërarrest për disa persona të dyshuar si pjesë e grupit kriminal. Megjithatë, dy shqiptarët kishin arritur t’u shmangeshin autoriteteve dhe të qëndronin të fshehur.

Pas hetimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme në terren, policia arriti t’i lokalizonte dhe të ekzekutonte masat e sigurisë ndaj tyre.

Me vendim të autoriteteve gjyqësore, të dy të rinjtë janë vendosur në arrest shtëpiak dhe do të mbajnë byzylykë elektronikë për monitorimin e vendndodhjes së tyre.

Hetimet vijojnë për aktivitetin e grupit të dyshuar kriminal, ndërsa për dy shqiptarët, ashtu si për çdo person nën hetim, vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›