E majta feston Ditën e Çlirimit, Rama: “Shqipëria është në krizë”
Partitë e majta kanë përkujtuar dje Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Por ata kanë zhvilluar homazhe te Varrezat Dëshmorëve të Kombit në orare të ndryshme, duke mos pasur asnjë takim mes tyre. I pari që ka zhvilluar homazhe dhe ka vendosur kurora me lule ka qenë zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai, ndryshe nga kryeministri Berisha dhe partitë e djathta të koalicionit qeverisës ku LSI-ja bën pjesë, zgjodhi të përkujtojë më 29 Nëntor Ditën e Çlirimit të vendit, dhe jo më 28, kur e përkujtoi shefi i Ekzekutivit. Meta u tregua i kujdesshëm që të mos ishte në homazhe bashkë me partitë e tjera të majta opozitare.
Rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit ka vendosur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe mesazhet që dhanë dy përfaqësuesit e së majtës shqiptare në këtë ditë feste ishin të ndryshme. Ndërsa Rama e cilësoi situatën në të cilën ndodhet vendi në krizë dhe të parealizuar ende ëndrrën e dëshmorëve, Meta tha se Shqipëria pa viza ndodhet më pranë Europës.
Socialistët
Sipas kryetarit të PS-së, Rama, është detyrim i shoqërisë sonë, përpara dëshmorëve, të punojë e të sjellë një të nesërme, e cila duhet të përmbushë edhe aspiratat e atyre që kanë dhënë jetën për këtë vend. “Gëzuar të gjithëve këtë festë të lavdishme! Le të shpresojmë se e nesërmja do të sjellë shumëçka ka mbetur parealizuar nga ëndrra dhe aspiratat e atyre që prehen këtu në këtë varrezë të Dëshmorëve të Kombit, në një Shqipëri që sot gjendet në një krizë të thellë dhe që është refuzuar nga Bashkimi Europian për të vazhduar rrugën e integrimit duke marrë statusin e kandidatit dhe duke hapur negociatat për anëtarësimin e plotë në familjen Europiane. Në të njëjtën kohë dëshiroj të kujtoj se në këtë varrezë prehen edhe dëshmorë të kombit, të cilët janë vrarë në krye të detyrës në uniformën e Policisë së Shtetit dhe për ata, ashtu si për të gjithë dëshmorët, detyrimi ynë është i madh, detyrimi shoqërisë sonë është i madh, të gjithë së bashku duhet t’i çojmë përpara punët e këtij vendi, punët e këtij kombi, punët e këtij shteti, për një të nesërme, e cila nuk ka asnjë arsye pse të mos përmbushë ëndrrën e vjetër europiane të të gjithë atyre që na pararendën, e në mënyrë të posaçme të atyre që dhanë jetën për atë ëndërr”, - është shprehur lideri i opozitës.
LSI-ja
Dita e Çlirimit të Shqipërisë është përkujtuar dje edhe nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. I shoqëruar nga drejtues të lartë të kësaj force politike, kreu i LSI-së, ndërsa vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, tha se liria ka një dimension të ri për shqiptarët, atë të lëvizjes pa viza në hapësirën “Shengen”. “Është një festë, e cila përkon me një dimension të ri të lirisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë, që është Shqipëria pa viza. Sot, në këtë 29 Nëntor, liria e shqiptarëve është në një nivel më të lartë se asnjëherë tjetër dhe besojmë se në këtë rrugë qytetarët e Shqipërisë jo vetëm do të arrijnë të përsosin më tej lirinë e tyre, por njëkohësisht edhe duke u kujtuar gjithnjë sakrificat e atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe duke shprehur mirënjohje ndaj veprës së tyre, do të punojmë të gjithë së bashku për një Shqipëri të vërtetë europiane”, - është shprehur kreu i LSI-së, Meta.
Këshilltarët demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojnë largimin e Ramës
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, kërkoi dje në emër të këshilltarëve demokratë, shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për shkelje të Kushtetutës për shkak se nuk organizoi asnjë aktivitet festiv dhe nuk zbukuroi kryeqytetin me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë. Poni tha gjithashtu se grupi i këshilltarëve demokratë i kërkoi edhe Prokurorisë të nisë procedimin penal për Edi Ramën, që sipas tyre, thyen në mënyrë flagrante Kushtetutën e ligjet në dëm të interesave të ligjshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Edhe këtë vit, ashtu si edhe një vit më parë, më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit, ditën e ditëlindjes së kombit shqiptar, ditë që festohet nga çdo shqiptar me nderim, adhurim e krenarinë më të madhe në të katër anët e botës, kudo ku ata ndodhën, ditë që është sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 14, pika 5, kur thotë se ‘festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori’, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ishte i pazbukuruar, Bashkia e Tiranës e sabotoi festën e shqiptarëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të turpshëm e të papërgjegjshëm përsëri theu ligjin dhe Kushtetutën”, - tha Poni. Sipas këshilltarit të PD-së në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Rama u përpoq të turpëronte shpirtin dhe dinjitetin e shqiptarëve dhe se duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive, i përjashtoi kryeqytetasit nga festa me një akt fund e krye poshtërues për Tiranën.
Pas këtyre akuzave reagoi Bashkia e Tiranës. Zëdhënësi i kësaj Bashkie, Florian Seriani, u shpreh se Bashkia u përpoq të vendoste në disa vende flamuj për festën, por ishte Policia e Shtetit ajo që nuk lejonte heqjen e banderolave blu të qeverisë nga shtyllat dhe vendosjen e flamujve kuqezi. “Flamujt kuqezi u vendosën nga Bashkia me banderolat, kjo për të shmangur çdo incident në rrugë e keqkuptim në publik. Si çdo vit, Poni doli dhe përsëriti akuzën e festave. Poni ka disa kallëzime për shpifje nga ana jonë. Do të kallëzohet edhe për këtë shpifje. Kjo është përpjekja e Sali Berishës për të ndotur 29 Nëntorin me makinën e baltës. Berisha ka dështuar me integrimin dhe zhvillimin europian të vendit. Balta e tij edhe sot është shprehja e këtij dështimi. Berisha nuk e mbulon dot më dështimin, ndaj duhet edhe ditët e festave për luftën me opozitën”, - tha Serjani. Sipas tij, Poni shpif, siç ka bërë edhe disa herë të tjera, dhe për këto akuza edhe Bashkia e Tiranës do të bëjë kallëzim penal.
Olldashi: “Opozita nuk ka alternativë, deputetët e PS-së, biznesmenë ndërtimi”
“Opozita aktuale nuk ka alternativa zhvillimi në të mirë të vendit e të popullit, dhe në këto gjashtë vjet qeverisje nuk është parë asnjë kontribut i opozitës në arritjet e vendit”. Kështu është shprehur nga qyteti i Gramshit deputeti i PD-së, njëkohësisht ministër i Transporteve, Sokol Olldashi, duke shtuar se PS-ja i ka shndërruar deputetët e saj në biznesmenë ndërtimi. “Si mund t’i besohet një force politike që konsiderohet çdo ditë e më shumë një përfaqësuese e interesave të ngushta të individëve që e përbëjnë? Na mbiu në PS Fidel Ylli dhe ai nuk ka kohë të qajë hallet e socialistëve, ka hallet e pallateve. ǒhalle do t’i qajë PS-së Valentina Leskaj? I vetmi kontakt që ka me zyrtarit e këtij shteti, e ka për punën e djemve të vet. As Shega Ligori nuk ka kohë. Edhe ajo ka filluar të merret me ndërtime së fundi në Tiranë. Të dyja palët ndërtojnë në të vërtetë. Edhe ne ndërtojmë, edhe socialistët ndërtojnë, por ne po ndërtojmë Shqipërinë, ata po ndërtojnë pallatet e tyre. Kjo është diferenca themelore që kemi ne me ta”, - tha Olldashi. Ministri Olldashi i ka garantuar qytetarët e Gramshit se rruga drejt Elbasanit nuk do të ndryshojë gjurmë, por do të rikonstruktohet për të arritur parametrat maksimalë të infrastrukturës europiane.
Haxhinasto takon ambasadoren e Republikës së Sirisë në Shqipëri
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri, rezidente në Athinë, Houda Al-Houmsi.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Sirisë në fusha me interes të ndërsjellë. Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe që janë në proces, bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, si dhe forcimit të bashkëpunimit në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Ai shtroi nevojën e nxitjes së kontakteve ndërmjet komuniteteve të bizneseve të të dyja vendeve dhe organizimit aktiviteteve të përbashkëta në këtë drejtim. Nga ana e saj, ambasadorja siriane shprehu vullnetin e plotë të qeverisë siriane për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo i transmetoi z. Haxhinasto ftesën e Ministrit të Jashtëm sirian për të vizituar Republikën Arabe të Sirisë në një kohë të përshtatshme.
30 Nentor 2010