E shtuna në COD, ditë festë dhe kreativitet për fëmijët

TIRANË, 28 mars/ATSH/ E shtuna në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u kthye në një festë për fëmijët, plot gjallëri, kreativitet dhe energji pozitive.
Hapësirat e qendrës u transformuan në kënde të dedikuara, ku secili fëmijë pati mundësinë të shprehte talentet dhe imagjinatën e tij.
Në këndin e teatrit, fëmijët krijuan personazhe të ndryshme me letra të ngjyrosura dhe morën pjesë në ushtrime të thjeshta aktrimi, ndërsa në këndin e pikturës secili realizoi punime të veçanta, plot fantazi dhe origjinalitet.
Hapësira e lojërave zhvillimore ofroi aktivitete që stimulojnë mendimin logjik, zgjidhjen e problemeve dhe punën në grup, duke kombinuar argëtimin me zhvillimin e aftësive sociale të fëmijëve.
Ky aktivitet i COD, i cili do të jetë i përjavshëm, synon jo vetëm të ofrojë një eksperiencë të këndshme dhe kreative, por edhe të mbështesë zhvillimin integral të fëmijëve, duke e bërë pjesëmarrjen e tyre të paharrueshme.
1 nga 10/r.e/