EMRAT/ SPAK, “vizitë” tek dy biznesmenët e njohur

Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon hetimet lidhur me dosjen “Balluku”, ndërsa orët e fundit ka “vizituar” edhe disa biznese, në pronësi të disa prej oligarkëve më të njohur në vend.
Pjesë e kontrolleve mësohet se ka qenë biznesmeni Rrok Gjoka, fitues i disa projekteve infrastrukturore në vend.
Kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme, me qëllim sigurimin e provave që mund t’i shërbejnë hetimit.
Kontrolleve nuk i ka shpëtuar as Bashkim Ulaj, shpeshherë i përmendur si biznemes i afërt me kreun e Opozitës, Sali Berisha dhe që lidhet me koncesionin e dyshimtë Thumanë–Kashar, i fituar për më shumë se 245 milionë eurosh nga Ulaj.
Përmes këtij koncesioni 35-vjeçar kompania private pritet të mbulojë si kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes dhe të fitojë mbi 1 miliardë euro, nga tarifa që u mbledh qytetarëve.
Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër është nën përgjegjësinë e koncensionarit, i cili këtë rrugë duhet ta dorëzojë të padëmtuar në fund të kontratës koncesionare.
Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas rrugës së Kombit, ku kalimi është me pagesë, tarifë që mblidhet nga “Gener 2” e cila ndryshon për mjetet e tonazhit të rëndë dhe të transportit publik.
Për kalimin e të gjithë autostradës 21 km, kamionët paguajnë 8.80 euro ndërsa autobusët 6.30 euro.
Të gjitha tarifat do të përllogariten çdo vit, madje kompania private mund ti rrisë ato në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Koncesionari planifikon të mbledhë mbi 1.3 miliardë euro si të ardhura bazë nga taksa e automjeteve.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.