EMRI/ Anglia i jep “OK”-in ekstradimit të tropojanit të shumëkërkuar nga SPAK

Një prej personave të kërkuar nga SPAK nën dyshimin si i përfshire në trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Anglisë ka humbur betejën e bllokimit të ekstradimit.
Gjykata Westminster Magistrate Court i ka dhënë dritën jeshile ekstradimit të Alban Gjidiajt për në Shqipëri, pas një bashkëpunimi juridik mes CPS, Prokurorisë Mbretërore Britanike dhe drejtorisë për marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Tiranë.
Gjykatësi i çështjes tashmë e ka çuar vendimin e marrë sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, e cila do të firmosë urdhrin final të ekstradimit.
Ndërkohë po sipas dokumenteve të kësaj gjykate, Alban Gjidiaj do të vijojë lirinë me kusht pas një garancie monetare prej 5 mijë sterlinash, monitorimin elektronik, përfshirë paraqitjen çdo të premte në rajonin policor Colindale.
Kush është tropojani i shumëkërkuar nga SPAK?
Alban Gjidiaj, 28 vjeç nga Tropoja prej vitesh ka qenë i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për trafik armësh.
Gjidiaj akuzohet si pjesë e një rrjeti që kontrabandonte armë dhe municione nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, të destinuara për grupe kriminale shqiptare në territorin britanik.
Ai u arrestua në fillim të vitit nga Policia Metropolitane në bazë të një urdhri të lëshuar nga SPAK, por u la i lirë me kusht pas një garancie prej 5 mijë paundësh. Gjidiaj jo pak herë është parë duke lëvizur lirshëm në Londër, ku u fotografua duke drejtuar një Mercedes GLC AMG.
SPAK e akuzon Gjidiaj si pjesëtar të një grupi që dërgoi një ngarkesë armësh nga porti i Durrësit drejt Britanisë. Aktiviteti i grupit kishte pasoja të rënda për sigurinë publike.
Nën hetim për të njëjtën akuzë është edhe vëllai i Alban Gjidiajt, 33-vjeçari Almir Gjidiaj, i cili u arrestua në një hotel në Kolumbi. Atij iu gjetën tetë armë zjarri dhe municione të shumta të fshehura. Prokurorët e përshkruajnë Almirin si drejtuesin e një nëngrupi me bazë në Britani, përgjegjës për logjistikën dhe shpërndarjen e armëve në tregun e zi.
