EMRI/ U kap duke u kujdesur për bimët narkotike, arrestohet 31-vjeçari në Pogradec

Policia ka vënë në pranga një 31-vjeçar në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, Pogradec. Danjel Skënderi u arrestua teksa kujdesej për bimë narkotike të kultiviuara në këtë zonë.
Policia njofton se ka asgjësuar 610 bimë narkotike, ndërsa gjatë kontrollit u gjet 1 armë gjahu dhe municion luftarak, në tokën ku ishin kultivuar bimët narkotike.
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë intesifikuar kontrollet në terren, duke u bazuar në inteligjencën policore. Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, në fshatin Tallë, u gjetën të kultivuara 610 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegjes”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të territorit, u gjetën dhe 1 armë gjahu dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë më 2 celularë.
31-vjeçari akuzohet veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”./vizionplus.tv