EMRI-VIDEO/ Konflikt në një servis në Korçë, 3 të plagosur, një prej tyre me gërshërë

Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, ku një person ka mbetur i plagosur me mjet të mprehtë brenda një servisi makinash në lagjen 10.
Sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë katër persona.
Gjatë përplasjes, njëri prej tyre, i identifikuar si Renaldo Xhixho ka pësuar dëmtime dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë, të plagosur kanë mbetur edhe 2 persona, të cilët janë dërguar për mjekim në spital.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 10, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit, janë dëmtuar 3 prej tyre (njëri prej të cilëve me mjet prerës gërshërë) të cilët u dërguan për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.