“Eagle Dance – Kërcimi i shqiponjës”, një ekspozitë nga Roland Harizi dhe Eda Mollaj

“Eagle Dance, Kërcimi i Shqiponjës” është ekspozita e artistëve Roland Harrizi dhe Eda Mollaj, të cilët këtë herë ndalen në Vlorë. Fotografia, skulptura, piktura, mozaiku dhe kolazhi bashkohen në një ekspozitë që sjell një histori të veçantë të udhëtimeve dhe pasionit të çiftit për artin.
Ideja lindi nga vallja e shqiponjës, të cilën Roland Harrizi dhe Eda Mollaj e kanë fotografuar dhe realizuar në dhjetëra vende të botës, duke e vendosur atë përballë kulturave dhe peizazheve të ndryshme.
Përmes këtyre imazheve, ata kanë dashur të përcjellin një pjesë të traditës shqiptare, por edhe të ruajnë emocionet dhe mbresat e takimeve me njerëz nga vende të ndryshme.
“Të entuziazmuar kërcejmë atë valle dhe bëjmë figurë dhe e tërheqim vëmendjen e shikuesve, të cilët pyesin nga jeni dhe ne duartrokitemi të gjithë, domethënë vallet shqipe, vendi i shqiponjave. Kjo na bën ndihmë krenarë dhe thamë që herë tjetër, çdo udhëtim që do të bëjmë në çdo qytet, do të marrim me vete pikërisht këtë suvenir, fotografinë, duke fiksuar atë momentin final të valles”, tha Harrizi.
“Veprat e mia janë veprat e para të pikturës, janë abstrakte, por mbi të gjitha ato sjellin emocionet e të gjitha udhëtimeve që kemi bërë”, tha Mollaj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në Vlorë, duke i dhënë mundësinë publikut dhe dashamirësve të artit të njohin këtë projekt, përpara se të vijojë udhëtimin në qytete të tjera të vendit.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/